Lajmi i Javës

Gazetë e përjavshme, çdo të enjte në treg

Lista, të larguarit nga PS

Krahas Edi Ramës dhe Fatos Nanos, jashtë listës së kandidatëve për deputetë kanë mbetur edhe disa anëtarë të grupit parlamentar, të njohur edhe si mbështetës të ish-kryesocialistit Nano. Ndër të larguarit renditen Elmaz Sherifi, Ylli Bufi, Rajmonda Stefa dhe Musa Ulqini. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë përgjegjës vetë Nanon për largimin nga PS dhe mospërfshirjen në këtë listë. Edi Rama ka deklaruar se ka qëndruar larg kandidimit si deputet, pasi synon postin e Kryeministrit të vendit.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

PS rinovon listën e kandidatëve për deputetë

Partia Socialiste ka bërë publike emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. PS synon që me këta kandidatë të fitojë 72 ose 75 vende në Parlamentin e ardhshëm. Rreth 20 % e listës së kandidatëve përbëhen nga gra, 30% e deputetëve kanë rikandiduar, ndërkohë që 70 % janë kandidatë të rinj. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë prezantimit të listës, vuri theksin tek kandidatët e rinj, të cilët i cilësoi si jo rastësorë në listat e kandidatëve, por që do të ndërtojnë nje ekip të sukseshëm dhe që do të realizojnë një urë lidhëse mes komunitetit dhe qeverisjes. “Kandidatët që do të konkurojnë janë të profesioneve të ndryshme, si juristë, mjekë dhe mësues”, tha Rama.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Berisha: PD do të fitojë zgjedhjet

Kryeministri Sali Berisha, gjatë turit “Shqipëria po ndryshon”, premtoi fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhet parlamentare të 28 qershorit si në vititn 1992. Berisha theksoi se kjo mazhorancë ka të gjitha arsyet për të fituar me premtimet e realizuara. “Ne sot kemi aplikuar për anëtar në Bashkimin Evropian. Ne ishim burrat dhe gratë që donim të lëviznim të lirë në Evropë, të cilën ne brenda vitit të parë të mandatit të dytë do ta bëjmë realitet”, tha shefi i qeverisë. Kryeministri Berisha i bëri këto premtime gjatë një turi përurimesh në komunën e Voskopit, në Korçë. Rruga e Voskopojës është një investim prej rreth 600 milion lekë me të ardhura nga buxheti i shtetit.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Programi “Një OKB” zbatohet në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, kanë vlerësuar pozitivisht ecurinë e programit “Një OKB” në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, bashkëpunimi me qeverinë e Spanjës dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka qënë mjaft frytdhënëse. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, ka vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me Tiranën zyrtare. Programi “Një OKB” ka të bëjë me kulturën dhe zhvillimin, ku janë financuar rreth 3 milion dollarë. Shqipëria është zgjedhur së bashku me shtatë vende të tjera për të testuar programin mbarëbotëror të reformës së OKB-së.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Aktualitet | | No Comments Yet

Liri Berisha, dhurata për fëmijët jetimë

Në Ditën Kombëtarëve të Jetimëve, kompanitë “Eagle Mobile”, “Alpet”, kompleksi “Tajvan” dhe instituti “Albania children” kanë shpërndarë dhurata përr rreth 100 fëmijë jetimë nga i gjithë vendi. Bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, e gjendur mes këtyre fëmijëve në nevojë, ka bërë apel për më shumë vëmendje ndaj tyre. Sipas saj, është e domosdoshme që t’ju kushtohet më shumë vëmendje fëmijëve jetimë. Sot në Shqipëri numërohen rreth 70 mijë fëmijë jetimë, disa prej të cilëve jetojnë në institucione ku dhe u jepet një arsim i caktuar.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Aktualitet | | No Comments Yet

PD e PS shkelin afatet e KQZ për listat

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste shkelën afatet ligjore për dorëzimin e listave për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Partia Demokratike i ka depozituar në KQZ listat e saj për deputet rreth orës 00:10 të së mërkurës, ndërkohë që kreu i demokratëve në një deklarim për mediat rreth orës 20 të së martës kishte njoftuar finalizimin e listës së kandidatëve. Ndërsa Partia Socialiste zyrtarisht ka depozituar listat e saj për zgjedhjet e qershorit rreth orës 08 .00 të ditës së sotme. Përfaqësuesi ligjor i socialistëve në KQZ, Genc Gjonçaj, theksoi se PS ka shkuar të depozitojë listat e saj rreth orës 1 e 30, por nuk ka mundur për shkak se nuk ka gjetur njerëz në KQZ. Ndërkohë sipas Kodit të ri Zgjedhor, subjektet politike, konkurente në zgjedhjet parlamentare, duhet të depozitojnë në KQZ listat e kandidatëve për deputetë 40 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Topalli viziton rrugën Durrës-Kukës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar të mërkurën rrugën Durrës-Kukës së  bashku me disa gra e vajza. Topalli theksoi se kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha. “Është një vepër unike që mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve. Ndërkohë që është realizuar në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t’u bërë e mundur që të mbyllet në qershor”, u shpreh Topalli. Rruga Durrës-Kukës është  170 kilometra e gjatë, me 2 tunele me nga 5.5 kilometra secili, 27 ura, më e gjata e të cilave është 360 metra dhe më e larta 80 metra. “Punohet me ritmin maksimal, ashtu siç punohet me ritmin e ndërtimit të të gjitha rrugëve në Shqipërinë e shndërruar në një kantier gjigand ndërtimi”, vlerësoi nënkryetarja e Partisë Demokratike.

05/20/2009 Posted by lajmijaves | Aktualitet | | No Comments Yet

Topi dekoron Institutin e Jetimëve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me “Medaljen e Mirënjohjes”. Kreu i Shtetit e dekoroi këtë institut “për kontributin dhe rolin e madh që ka luajtur në integrimin e fëmijëve jetimë në shoqërinë shqiptare, në ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të tyre, duke u dhënë shpresën për një të ardhme edhe më të sigurt, nderin dhe dinjitetin që u takon”. Ndërsa nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Institutit, Ilir Çumani, i shprehu Presidentit Topi vlerësimin me medaljen e dhënë. Edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhers theksoi se është e rëndësishme që kjo kategori të ketë një vëmendje edhe më të madhe nga organet shtetërore.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Aktualitet | | No Comments Yet

Josip Kuzhe, trajneri i ri i Shqipërisë

Kombëtarja e Shqipërisë do të drejtohet nga trajneri kroat, Josip Kuzhe, i cili do të pasojë holandezin e larguar Ari Han. Josip Kuzhe mësohet se ka rënë dakord me Federatën Shqiptare të Futbollit për të drejtuar ekipin prej ndeshjes me Portugalinë. Kuzhe mësohet se është sugjeruar pranë FSHF-së nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç. Kuzhe ka drejtuar më parë klube të njohur në Kroaci, si Dinamon e Zagreb dhe NK Zagreb, ndërsa në nivel Kombëtaresh ai ka qenë në stolin e Ruandës. Kuzhe, 57-vjeçar, pason në këtë detyre holandezin Ari Han, i cili u largua pas humbjes 3-0 në Danimarkë dhe dështimit në “Qemal Stafa” me Hungarinë. Ndeshja e parë zyrtare për kroatin në pankinën kuqezi do të jetë më 6 qershor kundër Portugalisë në Tiranë.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Sport | | No Comments Yet

Zgjedhjet, duelet për Tiranën

Në orët e fundit që kanë mbetur për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputetë, kanë marrë formë përplasjet kryesore në qarkun e Tiranës. Lista e Partisë Demokratike do të kryesohet nga Sali Berisha, Aldo Bumçi dhe Rajmonda Bulku, ndërsa PS është ende në diskutime. Selia rozë do të prezantohet në Tiranë me shumë emra të rinj, krahas Namik Dokles dhe Fatmir Xhafës. Për LSI do të jenë në krye Ilir Meta, Erisa Xhixho dhe Pëllumb Xhufi, ndërsa për PBDNJ kandidon Leonard Solis. Nga PDS kandidojnë Artur Duçkallari dhe Xhevdet Kacani, ndërsa për ‘G 99’ në Tiranë do të jenë Erjon Veliaj e Arbi Mazniku. Në listën e PSD do të jetë në krye Skënder Gjinushi, ndërsa për LZHK, Aleksandër Meksi dhe Dashamir Shehi. PDK kandidon në Tiranë Jak Ndokën, ndërsa Partia “Lëvizja e Legalitetit”, Ekrem Spahinë.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Berisha: Zgjedhjet, sipas standardeve

Realizimi i standardeve të zgjedhjeve parlamentare duket se është pika kryesore që kreu i demokratëve po thekson në takimet e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë. Gjatë vizitës së tij në Pogradec, Berisha theksoi edhe një herë angazhimin e shumicës qeverisëse për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve europiane. “Ne – tha Berisha, – po ecim drejt zgjedhjeve dhe kjo ёshtё njё provё e shkёlqyer e detyrimit tonё ndaj votёs sё lirё. Kjo ёshtё njё provё, nё tё cilёn ne duhet tё faktojmё vendosmёrinё e njёri-tjetrit pёr tё respektur votёn e lirё”. Berisha mori pjesё nё ceremoninё e inaugurimit tё impiantit tё trajtimit tё ujёrave tё pёrdorura nё Pogradec, i realizuar me njё fond tё qeverisё gjermane dhe bashkёfinancim tё qeverisё shqiptare, me vlerё rreth 10 milion euro.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

PS, ende diskutime për kandidatët për deputetë

Partia Socialiste nuk ka zbardhur ende emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri me dije se po punohet intensivisht me drejtuesit e selisë rozë për listat, të cilat do të depozitohen brenda së martës në KQZ. Kodheli theksoi se emrat e rinj të kandidatëve do të sjellin edhe ndryshimin e vërtetë që i duhet vendit. Ndërkohë listat e kandidatëve duket se janë drejt fundit, por nga PS nuk është publikuar zyrtarisht për mediat asnjë emër konkret. Sipas burimeve, rrezikon të mbetet jashtë kandidimit ish-kryetari socialist dhe ish-Kryeministri Fatos Nano. Afati përfundimtar për depozitimin e listës në Komisionin Qendror Zgjedhor është data 19 maj, ose 40 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Zgjedhjet, firmoset pakti qeveri-KQZ

Qeveria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, kanë nënshkruar të martën një marrëveshje bashkëpunimi. Arben Ristani dhe Dëshira Subashi për KQZ dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në emër të qeverisë, kanë hedhur firmën mbi marrëveshjen, që sipas firmëtareve do të garantojë sigurinë e procesit zgjedhor. Gjatë fjalës së tij, ministri Nishani dhe kryetari i KQZ-së Arben Ristani, theksuan qëllimin e bashkëpunimit për realizimin e procesit zgjedhor sipas standardeve europiane. Nishani theksoi angazhimin e Ministrisë së Brendshme për të bashkëpunuar me të gjitha strukturat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

PBDNJ firmos me OMONIA-n dhe vllehët

Kryetari i PBDNJ-se, Vangjel Dule, ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit me organizatën “Omonia” dhe Unionit Vlleh të Shqipërisë. Duke folur pas nënshkrimit, Dule ka thënë se gjithmonë ka ekzistuar një bashkëpunim strategjik me këto shoqata për përkrahjen e minoriteteve dhe pakicave kombëtare në vend. “Kjo është edhe një ndër pikat kryesore të programit të PBDNJ për zgjedhjet e 28 qershorit. Në shumë qarqe të vendit, PBDNJ do të përfaqësohet në zgjedhje me këto dy grupe minoriteti, Omonia-n dhe vllehët e Shqipërisë”, tha Dule. Vetë Vangjel Dule do të kandidojë në Vlorë, Gjirokastër e Korçë.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Politike | | No Comments Yet

Marrëveshje mes Autoritetit të Konkurencës dhe QKR

Autoriteti i Konkurencës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Synimi i këtij memorandumi është shkëmbimi i informacionit për një zbatim sa më efikas të ligjeve të organike respektive. Gjithashtu, synohet edhe ulja reale e kostove të transaksioneve midis bizneseve. Të dy institucionet do të bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacionit që ka të bëjë me shoqëritë që bashkohen, si dhe të çdo trasaksioni që ndryshon strukturën e tregut. Bashkëpunimi midis dy institucioneve është cilësuar i rëndësishëm për të arritur në kohë reale mbikqyrjen e tregut.

05/19/2009 Posted by lajmijaves | Ekonomi | | No Comments Yet